Në mes të marshit, muzikës dhe flamurit shumëngjyrësh, në Prishtinë, sot (10 tetor), u mbajt ‘Parada e Krenarisë’, në mbështetje të komunitetit LGBTI. Pjesëtarë dhe përkrahës të këtij komuniteti festuan unikalitetin e tyre duke bërë thirrje për pranim dhe respektim të të drejtave të njeriut.
Organizuar nga ‘Qendra për Barazi dhe Liri’ në Prishtinë, nën moton ‘Për kon t’rreh zemra’, qytetarë të shumtë u treguan miqësorë me pjesëtarë të këtij komuniteti, duke iu bashkuar thirrjes për trajtim të barabartë të tyre, pa dallime apo paragjykime.
Me këtë rast, Radio KFOR-i intervistoi pjesëtarin e komunitetit LGBTI, Erblin Nushi, i cili bëri thirrje për respektim të të drejtave të këtij komuniteti:
“Rëndësia e paradës është që ne si komunitet të tregojmë dhe informojmë të tjerët që edhe ne kemi të drejta, si të gjithë të tjerët, që të jetojmë lirshëm dhe të jemi të barabartë, sepse ne kemi lindur kështu dhe jemi pjesë e shoqërisë. Edhe ne dashurojmë si të tjerët. Dashuria është thjeshtë dashuri dhe duhet ta pranojmë njëri-tjetrin dhe të vazhdojmë përpara”.
‘Java e Krenarisë’ në mbështetje të komunitetit LGBTI, këtë vit, shënohet për herë të tretë, ndërkaq përgjatë tërë javës do të ketë aktivitete të shumta, në përkrahje të kësaj kauze.