Organizuar nga “Yes Kosova”, sot (10 tetor), në ora 17:30, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, do të mbahet takimi informues për programin e shkëmbimit të të rinjve “Youth Exchange and Study “(YES).
Siç mësuam nga organizatorët, Programi “YES” u themelua dhe financohet plotësisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Programi u siguron nxënësve të shkollave të mesme një bursë të plotë që të jetojnë për një vit shkollor në SHBA me një familje mikpritëse vullnetare dhe të studiojnë në një shkollë të mesme në SHBA, për të nxitur të kuptuarit mes njerëzve në Shtetet e Bashkuara dhe popujve të tjerë në botë.
Programi është aktiv në Kosovë që nga viti 2008 dhe numëron rreth 100 ish-bursistë, të cilët e formojnë një rrjet studentësh të përkushtuar dhe aktiv.