“Nëse i flisni dikujt në gjuhën që e kupton, porosia mbetet në mendjen e tij, por nëse i flisni në gjuhën e tij, porosia mbetet në zemrën e tij”. Kjo thënie e Nelson Mandelës dëshmon se të mësuarit e një gjuhe të huaj është mjeti më i fortë për ta arritur më të mirën e mundshme pas çfarëdo negociate. E tëra që duhet ta dini është se si ta përdorni atë, në mënyrën e duhur.
E, kush mund ta dijë më mirë një gjë të tillë, sesa ata që ndërmjetësojnë komunikimin e njerëzve që nuk e flasin gjuhën e njëjtë, bëhet fjalë për përkthyesit, të cilët shënojnë sot ditën e tyre.
“Të jesh një përkthyes i mirë do të thotë të jesh në gjendje të bartësh porosinë nga gjuha burimore në atë të synuar”, thotë për Radio KFOR-in, Vlora Braha, e cila punon si përkthyese/interprete në NATO/KFOR.
“Unë mundohem të kem standarde të larta të sjelljes profesionale, që do të thotë të veproj me besnikëri, pavarësi, paanshmëri dhe me respekt të plotë për detyrën e besuar”.
Të ndërmjetësosh komunikimin ndërmjet të tjerëve jo gjithherë është e lehtë. Në të tilla raste mund të ketë edhe situata të sikletshme, të cilat megjithatë tejkalohen falë profesionalizimit të lartë të atyre që e kryejnë atë punë. E tillë është edhe Vlora, e cila për dëgjuesit e Radio KFOR-it ka ndarë përvojën më të sikletshme gjatë karrierës së saj.
“Ka qenë një takim i nivelit shumë të lartë, ose siç njihet në fushën tonë: takim i nivelit shtetëror, në të cilin isha e caktuar të interpretoja për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut, dhe kisha harruar ta fikja celularin ose edhe ta vendosja në opsionin “pa zë”. Papritur, u dëgjua zilja e telefonit dhe të gjithë të pranishmit filluan të kontrollonin celularët e tyre. Unë isha ulur gjithë qetësi duke menduar se e kisha fikur timin dhe vetëm në atë çast e kuptova që po dëgjohet zilja e celularit tim. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ishte aq i sjellshëm dhe më tha: “Lajmërohu, e dashur sepse e kam përshtypjen se po bëhet fjalë për një telefonatë shumë të rëndësishme”. Sa nuk vdiqa nga turpi dhe sikleti që e përjetova dhe isha skuqur e tëra në fytyrë”.
E fare për fund, Vlora u ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit të gjithë përkthyesve dhe interpretëve, të cilët çdo ditë përpiqen që të kapërcejnë hendekun në mes të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme të botës, derisa ka treguar se cila është gjëja që e do më së shumti për përkthimin dhe interpretimin:
“Gjëja që më së shumti e dua për interpretimin dhe përkthimin është se edhe pse duhet të përçohet kuptimi i njëjtë që autori është përpjekur ta realizojë në origjinal, kreativiteti që përkthyesit dhe interpretët duhet të kenë për të bartur porosinë në atë mënyrë që të tingëllojë po aq e natyrshme sa është menduar fillimisht dhe është shkruar në gjuhën e synuar dhe për audiencën e caktuar nuk ka çmim dhe është e mrekullueshme”.
Përkthyesit e mirë duhet të jenë profesional, kompetent, konfiedencial, të paanshëm dhe shumë të kujdesshëm, thotë nga ana tjetër përkthyesi/interpret në NATO/KFOR, Ivan Obradovic, i cili ka një porosi për të gjithë ata që ia mësyjnë këtij profesioni.
“Do të doja t’ua urojë Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit të gjithë përkthyesve dhe interpretëve në botë, veçanërisht atyre që e dëgjojnë Radio KFOR-in. Do të doja t’i inkurajoja të gjithë ata që duan të bëhen interpret që të ndjekin ëndrrat e tyre, të studiojnë dhe do ta shohin se është profesion i mrekullueshëm”.
Dita Ndërkombëtare e Përkthimit shënohet që nga viti 1991. Të përkthesh është mjeshtri që kërkon horizont të gjerë të dijes, andaj me të drejtë përkthyesit mund të konsiderohen si njohësit më të mirë të kulturave, njerëzve dhe vendeve.