Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë (IBCM) që nga fillet e tij pikësynim kishte edukimin e brezave të rinj në frymë multietnike, duke e parë këtë si mënyrë dhe model që i duhet shoqërisë sonë për një të ardhme të sigurt dhe të përbashkët. Përvojat, sukseset dhe bashkëpunimi i të gjitha etnive brenda IBCM-it, ka tërhequr edhe vëmendjen e KFOR-it, i cili ka pikërisht këtë qëllim të kontribuojë dhe të ndihmojë të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë.
Andaj, përfaqësuesë të KFOR-it kanë vizituar kolegjin IBCM, ku janë mirëpritur nga drejtoresha e kolegjit dhe njëherit profesoresha në Departamentin e Menaxhimit të Mjedisit dhe Bujqësisë, Mihone Kerolli Mustafa, e cila për Radio KFOR-in tregoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm që kanë me KFOR-in:
“Bashkëpunimi me KFOR-in nuk ka filluar sot, ka filluar shumë më herët. Kësaj radhe jemi munduar që pak a shumë praktikat e mira të studentëve të harmonizohen me aktivitete të KFOR-it dhe këto praktika të mira të paraqiten karshi komunitetit dhe të shërbejnë si modele të cilat mund të implementohen nga të rinjtë e tjerë. Këto aktivitete përfshijnë hulumtime që kanë të bëjnë me diversitetin, se çka mund të bëjnë të rinjtë që ta forcojnë diversitetin edhe mjediset e përziera me të gjitha komunitete bashkë, dhe cili do të jetë mesazhi që këta të rinj do ta përcjellin tek të tjerër, që të ndërtojnë një shoqëri ma më stabile në Kosovë”.
Studentja, Donjeta Pllana, e cila sapo ka përfunduar vitin e tretë, në drejtimin ‘International Sales and Marketing’ përçon këtë mesazh për të rinjtë e Kosovës:
“Unë si studente e këtij kolegji kisha dëshiruar që t’iu jepja të rinjve një mesazh, që mos t’i kenë frikë ndryshimet mes diversiteteve dhe enticiteteve të ndryshme, dhe që të gjithë së bashku ne mund të kontribuojmë në vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Poashtu, studentja tjetër Aleksandra Lazarevic, ka një mesazh për dëgjuesit e Radio KFOR-it:
“Unë mendoj se të gjithë duhet të jetojmë së bashku, sepse jetojmë në të njëjtin mjedis, pa shikuar në të kaluarën dhe pa patur efekte në të tashmen. Duhet të kemi kuptuar se çka ishte në të kaluarën duhet të mbetet në të kaluarën, dhe tani ne duhet të punojmë për të ardhmen. Të komunikojmë me njëri-tjetrin, të mësojmë nga njëri-tjetri, nuk ka rëndësi se nga cila kombësi janë, nga cili vend vijnë etj.”
Ushtaraku zviceran Mario Schnider, pjesë e Ekipit Ndërlidhës dhe Monitorues i KFOR-it në Mitrovicë, përmes frekuencave të Radio KFOR-it dërgon mesash tek të rinjtë e Kosovës, për një bashkëpunim më të madh ndëretnik:
“Arsyeja pse jemi këtu si KFOR, është sepse KFOR-i është gjithmonë duke përkrahur bashkëpunimet multienike dhe ky projekt është premtues në këtë drejtim. Sa i përket bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve në Mitrovicë, nëse shikojmë një lagje të përzier mund të shohim që bashkëpunimi po funksionon, njerëzit ndërveprojnë me njëri-tjetrin, në baza ditore. Dhe ne kemi projekte si IBCM ku shohim qartë që njerëzit janë në gjendje të bashkëpunojnë në jetën e përditshme… Porosia ime për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë është që të bëjnë përpjekje për të punuar së bashku me etnitë e tjera, sepse ne mund të shohim që në lagjet e përzier kjo madje po tregon rezultate edhe në mënyrë individuale dhe se që së bashku duhet të përpiqen vazhdimisht që të funksionoi ky rezultat.”
Duke komunikuar dhe bashkëpunuar së bashku, Kosova mund të bëhet vend më i mirë për të gjithë qytetarët.