Muaji shtator, përkatësisht data 5 e këtij muaji shënon ditën e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit dhe shënohet për nder të punës bamirëse dhe kontributit madhështor të Shën Nënë Terezës.
Kombet e Bashkuara,vendosën që ta shpallin pikërisht këtë datë si ‘Ditë Botërore të Bamirësisë’, që të reflektojmë mbi krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, për të ndihmuar lehtësimin e varfërisë në komunitetin ku jetojmë, përmirësimin e shërbimeve publike, arsimimin, mbrojtjen e fëmijëve dhe ndihma të tjera.
Përveç individëve, janë poashtu të shumta organizatat që për mision kanë bamirësinë, e tillë si Organizata Joqeveritare “Nëna dhe fëmijë të lumtur”, e cila është shndërruar tashmë në një strehë për qindra nëna dhe fëmijë, të cilët aty mund të gjejnë veshmbathjet e duhura, ushqimet e munguara dhe mbi të gjitha dashurinë që përfaqësueset e kësaj OJQ-je ua ofrojnë.
Është padyshim Edita Dula, nismëtare e këtij projekti jetik, e cila prej vitesh kontribuon që kjo shtresë e shoqërisë të mos ndjehet e neglizhuar, por përkundrazi të ketë një dorë të zgjatur ndihme.
“Secili njeri mund të bëjë mirë, mjafton vetëm dëshira e individit për të bërë një vepër të mirë. p.sh, mjafton që një fëmije t’i blejë ilaçet e nevojshme për trajtim ose diçka e ngjashme. Na ka ndodh neve si organizatë që pas një postimi, ku kemi treguar që një nënë vetushqyese ka mbetur pa rrymë, menjëherë na është lajmëruar dikush që ka bërë pastaj pagesën përkatëse, e kjo padyshim që është një lehtësim i madh për një nënë vetushqyese, të cilat i kemi target si organizatë”, ka thënë mes emocionesh, për Radio KFOR-in, znj. Dula.
‘Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë’ u krijua me qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të njerëzve dhe OJQ-ve në të gjithë botën, për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.