Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka hapur thirrjen për aplikim për gratë, me qëllim të zgjerimit të rrjetit të punësimit të tyre në Kosovë.
Afati i fundit për aplikim është 8 shtator 2019, ndërsa të gjitha të interesuarat për t’iu bashkuar këtij programi duhet të aplikojnë përmes web faqes së Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës.
“AmCham Kosovo” ka bërë thirrje që në programin për aftësi menaxheriale, me mundësi të punës praktike, të aplikojnë të gjitha studentet e interesuara që kanë përfunduar studimet pasuniversitare.
Rritja e punësimit të grave është projekt që financohet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ndërsa implementohet nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës.
Ky është një projekt gjashtëmujor, i cili do të pajisë 30 studente me aftësitë e nevojshme për zhvillimin e karrierës në sektorin privat, duke ofruar module trajnimi tremujore për zhvillimin e aftësive menaxheriale si dhe tre muaj të tjerë përvojë pune në kompanitë që janë anëtare të kësaj Ode.