Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë sot (28 gusht) do të hapë konkurs për çmimin ‘Artistët e së nesërmes’ 2019 për artistët e rinj, deri në moshën 35 vjeçare.
Afati i fundit për aplikim është 27 shtator 2019, ndërsa rezultatet e konkursit do të shpallen më 4 tetor 2019.
Qëllimi i çmimit “Artistët e së nesërmës”, i organizuar në Kosovë nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor është që t’iu ofrojë mbështetje artistëve të rinj dhe të lehtësojë vazhdimin e punës së tyre.
Ky çmim organizohet në bashkëpunim me “Residency Unlimited”, në New York dhe mbështetet nga “The Trust for Mutual Understanding”, në New York.
Fituesi i çmimit ‘Artistët e së nesërmes’ 2019 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në New York, në programin rezidencial për artistë të “Residency Unlimited”, gjatë muajve prill dhe maj të vitit të ardhshëm (2020), si dhe do të ketë ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor të vitit 2020.
Në këtë konkurs, ftohen të aplikojnë të gjithë artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performues.
Anëtarët e Jurisë të çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 janë Adam Kleinman, Charles Esche, Jelena Vesić, Qëndresa Deda dhe Sezgin Boynik.
Çmimi “Artistët e së nesërmes” në Kosovë për herë të parë u organizua në vitin 2002.