Kampi Veror i Vajzave në Shkencë ka mbledhur në Prishtinë 100 vajza nga Kosova, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriore, Mali i Zi dhe Amerika, të cilat për dy javë do të mësojnë në fushën e teknologjisë, inxhinierisë, artit, dizajnit dhe matematikës, të organizuar nga ‘Millennium Foundation’ në Kosovë.
Për të mësuar më shumë rreth këtij kampi, Radio KFOR-i intervistoi drejtoreshën e Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC) për Kosovë, Sarah Olmstead, e cila tregoi për qëllimin e këtij projekti:
“Kampi i Grave në Shkencë është një kamp që përfshin vajzat e shkollave të mesme nga Kosova, Serbia, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Shqipëria dhe Amerika, të cilat janë mbledhur në Prishtinë për të mësuar më shumë në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë, artit dhe matematikës, ku do të mësojnë nga kompanitë më inovative dhe organizatat siç janë ‘Intel’, ‘NASA’, ‘Microsoft’ ‘Laboratori Kombëtar i Energjisë së Ripërtrishme’, ‘Jaha Solar’ e të tjera. Qëllimi kryesor është që të mbështesim këto vajza të kuptojnë për ngjashmëritë që kanë dhe për t’iu treguar që së bashku mund të arrijmë më shumë duke bashkuar forcat dhe duke përkrahur njëri-tjetrin”.
Ky kamp, përveç që do të ofrojë njohuri të shumta për këto vajza, do të ndihmojë edhe në fuqizimin e tyre për t’u bërë udhëheqëse të suksesshme dhe për të ndarë këto njohuri me komunitetin në të cilin jetojnë.
Sarah, kishte dhe një mesazh për të gjithë të rinjtë në Kosovë, që t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe të përdorin mundësitë që kanë.
Kampi i lartpërmendur është organizuar nga ‘Fondacioni i Mileniumit i Kosovës’ (MFK), ‘Korporata e Sfidave të Mileniumit’ (MCC), Ambasadat Amerikane në Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Beograd dhe Tiranë, NASA, NREL, Mircrosoft, Bechtel, AmCham Kosovo, Jahal Solar, Kolegji AAB, Organizata TOKA dhe Kosova Live.