Këngëtarja me vlera të larta profesionale muzikore, ajo e cila triumfoi ne Eurovision (2012) dhe deri më tani ende mbetet këngëtarja shqipare që ka arritur të klasifikohet aq lartë në këtë garë evropiane muzikore, Rona Nishliu, sot (13.05.19) ishte mysafire në emisionin e drejtpërdrejtë të pasdites “Macchiato Lounge”, te moderatorja Pranvera Behrami.
Emisionin Rona e filloi duke treguar emocionet e saja për pjesëmarrjen në spektaklin e njohur “Ethet e së Premtes”, që për Ronën janë momente të pa harruara.
“Rruga ma e denjë për një karakter si unë, padyshim ka qenë spektakli “Ethet e së Premtes, pasi që aty ishte vendi ku unë morra bekimin e publikut dhe vendi ku unë mësova shumë nga profesionistët udhëheqës të këtij spektakli”, tha Rona, duke ju folur dëgjuesve të Radio KFOR-it edhe për shumë momente të tjera interesante.
Fama e Ronës nuk mbaroi tek “Ethet e së Premtes”, ajo shkëlqeu edhe në garën muzikore Evropiane ‘Eurovision Song Contest’, me këngën e saj ‘Suus’, e cila u vlerësua dhe u pëlqye aq shumë, saqë u krahasua edhe me Lara Fabian-in dhe hitin e saj të pavdekshëm ‘Je t’aime’.
“Unë do të kujtohem gjithmonë me këngën ‘Suus’ . Është këngë e cila dëgjohet edhe sot, jo vetëm tek ne, por kjo këngë këndohet në gjithë botën nga talentët e rinj, të cilët marrin pjesë në gara muzikore”, u shpreh Rona.
Gjatë emisionit një orësh, u bisedua edhe për albumin e saj të dytë “Mindil” që u publikua ditë më parë, një album që u vlerësua shumë, pasi aty janë përfshirë këngë të vjetra, mirëpo tani të ripërpunuara dhe të kënduara në stilin e veçantë të Ronës. Ky album u promovua përmes koncertit humanitar që u mbajt më 24 prill, në Prishtinë. Këngëtarja fansat e saj i njoftoi se më 20 maj, në Shkup, do të organizoj koncertin tjetër të radhës, për të promovuar albumin e saj të dytë, e që nuk do të mbaron me kaq, sepse Rona këtë album do ta promovoj edhe në vende të tjera, përgjatë vjeshtës së këtij viti.