Edicioni i 8-të i “BeerFest”, i cili ishte e paraparë të fillonte dje, është shtyer për sot (26.07.18), për shkak të motit me shi.
Drejtori i ‘Modus Events’, Ekrem Tahiri, shfrytëzoi valët e Radio KFOR-it për t’i bërë ftesë të gjithë të interesuarve që të shkojnë në “BeerFest ” si dhe na njoftoi për programin e këtij eventi:
“Dëshiroj që përmes valëve të radios suaj t’i informoj të gjithë ata dëgjues të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e “BeerFest-it”, që të vijnë sonte dhe të kënaqmi shumë. Bendi kryesor sonte do të jetë “Daft Punk”, gjithashtu edhe “Don Phenom”.
Pastaj do të vazhdojmë me ditën e dytë të“BeerFest”-it, që do të jetë të premten, kurse nata e mbrëmshme që nuk u mbajt për shkak të motit me shi, do të mbahet ditën e hënë. Mendoj se këtë vit kemi laramani shumë interesante, ku përveç artistëve të rinj që u japim hapësirë për promovim, do të kemi edhe artistë të cilët kanë munguar për një kohë të gjatë dhe tani po kthehen në këtë festival, si: NR, Genta Ismajli, Ilirët, Shemi, Osman Shehu me Fontanën, pastaj Genc Prelvukaj e kështu me radhë. Gjithashtu ka edhe artistë të cilët janë në kulmin e karrierës së tyre dhe janë të pranishëm gjithandej, si: Neki Emra, Flaka Krelani dhe DJ e bende që vijnë nga jashtë. Dua të përmendi se kemi edhe një artist të cilin së bashku me birra Peja, do ta sjellim të shtunën, por nuk do ta publikojmë emrin e tij deri ditën e premte”.
“BeerFest” fillon sonte në ora 17:00, tek parkingun prapa “Pallatit të Rinisë”, në një skenë madhështore, me zërim dhe efekte vizuele.