Në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it “Film City” në Prishtinë, sot (28.11.18) u bë ndërrimi i komandës nga komandanti në largim i KFOR-it, gjeneral majori Salvatore Cuoci, tek komandanti i tanishëm, gjeneral major Lorenzo D’Addario.
Në prani të përfaqësuesve të shumtë vendor e ndërkombëtar, ish gjenerali Cuoci vlerësoi punën e tij që kishte bërë përgjatë një viti, por çdo herë duke falënderuar të gjitha institucionet vendore e ndërkombëtare, të gjitha kombet që kontribuan në kuadër të KFOR-it, për të pasur një Kosovë sa më të mirë.
“Unë sinqerisht mund të them që ndihem shumë i kënaqur me një punë të kryer shumë mirë. Komandantët e njësive vartëse të KFOR-it, stafi im, të gjithë ushtarët dhe punonjësit civilë këtu, kanë bërë që koha ime si Komandant i Forcës së Kosovës, të jetë një nga përvojat më të paharrueshme të karrierës time profesionale ushtarake dhe kanë kontribuar shumë që ky rotacion i njëzet e dytë me radhë i KFOR-it të jetë jashtëzakonisht i suksesshëm”, kështu tha ish-gjenrali Cuoci dhe më tutje shtoi se është i lumtur që me sukses e dorëzon komandën e një force të përgatitur mirë dhe të aftë.
Ndër të tjera, ish- gjenerali fjalimin e tij e përmbylli duke theksuar se ishte nder të shërbente si komandant përgjatë një misioni kaq përmbushës dhe Kosovës i dëshiroi gjitha të mirat në të ardhmen.