Data e sotme 1 maj, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve”, një lëvizje që lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat dhe kushtet e punës e të jetesës. “8 orë punë, 8 orë argëtim dhe 8 orë gjumë”, është slogani që përfaqëson kërkesat e punëtorëve, një kërkesë e cila së pari është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885.
Shënimi i 1 Majit, ndër të tjera lidhet edhe me protestat e përgjithshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, të cilat ishin organizuar më 1 maj, të vitit 1886. Pastaj një vit më vonë, më 1 maj të 1887-tës, u bë një manifestimi masiv dhe madhështor në të njëjtin qytet. Kështu ka filluar shënimi i “Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve”, ditë kjo e cila ndër vite u përqafua nga miliona punëtorë, gjithandej globit. Sot, 1 Maji kremtohet gjithandej si ditë në të cilën vihen në pah liritë e punëtorëve, të drejtat, kushtet e punës, rroga mesatare e garantuar, pushimi ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës, për të gjithë punëtorët. Në këtë ditë, organizohen fushata në gjithë botën, për tu solidarizuar edhe me vendet, ku punonjësit nuk trajtohen si duhet. Një nga çështjet më të rëndësishme të ngritura në vitet e fundit, është detyrimi i fëmijëve për të punuar, e që mbrohet nga ‘Konventa për të Drejtat e Fëmijëve’, por që abuzohet dhe nuk respektohet në shumë vende të botës.