Edhe muaji maj, po sjell për publikun ngjarje të shumta kulturore që përfshijnë fusha të ndryshme të artit në vend.
Pas shumë vitesh pauzë, në Prishtinë organizohet sërish festivali tashmë tradicional i muzikës jazz, ‘Prishtina Jazz Festival’. Nën patronatin e Komunës së Prishtinës, Drejtoria e Kulturës do t’ju prezantojë muzikantë të njohur nga bota e Jazz-it si: Brian Marsella, Kenny Wollesen, Trevor Dunn, Derya Türkan, Sara Decker, Jeroen Truyen, Billy Test, Nicolai Amrehn, Enver Muhamedi and Kamil Cenk. Prishtina Jazz Orchestra do të performojë po ashtu në festival me 18 anëtarë me muzikantët më të mirë të Ballkanit. Koncertet do të mbahen me datat 3 dhe 4 maj, në Teatrin Oda dhe me 5 dhe 6 maj, në Kino Armata.
Shfaqjet teatrore feministe “Olympe et Moi” dhe “Jogging”, do të vijnë risi për publikun, në kuadër të edicionin të sivjetmë të festivalit FemArt. Shfaqjet do të shfaqen në Prishtinë, me datën 17 maj, në Teatrin Dodona, nga ora 19:00 dhe në Mitrovicë, në Muzeun e Qytetit, me datën 19 maj, nga ora 19:00.
Edicioni i dhjetë jubilar i festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, ngjarje kjo që organizohet në Prishtinë dhe Beograd, do të mbahet këtë vit nga data 4 deri më 6 maj në Kosovë, me prezantimin e skenës kulturore, artistike, e shoqërore të Serbisë dhe Kosovës.