‘Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit’ festohet çdo vit më 3 maj, datë në të cilën është miratuar Deklarata ‘Windhoek’. Kjo ditë është themeluar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 1993, si një zgjatim i Seminarit mbi Promovimin e një shtypi të pavarur dhe pluralist afrikan. Neni 19 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut i vitit 1948 thekson se “Të gjithë kanë të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje si dhe për të kërkuar, marrë apo dhënë informacion dhe ide me çfarëdo mjeti pavarësisht nga kufinjtë.”
Çdo vit që nga viti 1997, UNESCO nderon me ‘Çmim Botëror të Lirisë së Medias, Guillermo Cano’, punën e një individi apo të një organizate për të mbrojtur apo promovuar lirinë e shprehjes, veçanërisht në qoftë se ajo e vë jetën e individit në rrezik.
Edhe në Kosovë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), sot më 3 maj, do të shënoj Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. AGK do të organizoj disa aktivitete me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e lirisë së medias dhe respektimit të lirisë së shprehjes.
AGK do të fillojë aktivitetet me një instalacion artistik të vendosur në qendër të qytetit, që do të përçoj mesazhin e fjalës së lirë, një e drejtë themelore për dinjitetin njerëzor, rëndësinë e lirisë së shprehjes, sigurinë dhe kushtet e punës së gazetarëve si dhe përmbushjes së misionit të tyre.
Poashtu në bashkëpunim dhe mbështetje nga Misioni i OSBE-së në Kosovë (OSCE), Zyra e Koordinatores për Zhvillim (të OKB-së në Kosovë) dhe UN WOMEN – Entiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizim të Grave si dhe AGK do të organizojnë gjithashtu një tryezë debati për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve me përfaqësues të medieve, shoqërisë civile dhe të institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, ku gjithashtu do të ndahen edhe dy çmime: ‘Çmimin e gazetarisë për fuqizimin e grave’ dhe ‘Çmimin e gazetarisë për ekonomi – Ibrahim Rexhepi’.