Viti 2021 që e lamë pas, ka qenë një vit i hatashëm teknologjik me shumë inovacione, lehtësime por edhe dështime. Jemi të lumtur që në këtë artikull përmbledhës, fillimisht do të ndajmë me ju një lajm vendor: Nga korriku i vitit 2021, ka filluar edhe faza e tretë e marrëveshjes për shërbimet e rregulluara të roamingut në kuadër të telekomunikimit për qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë).
2021- ta solli jetësimin edhe shtrirjen e rrjetit 5G në planetin tonë: Gjenerata e re nga Apple, prinë në këtë listë natyrisht, Apple iPhone 13, iPhone 13 Mini, iPhone 13 Pro dhe iPhone 13 Pro Max, u konsideruan si gjenerata më e mirë që mund të sjellë Apple. Në top 5-shën e telefonave më të mirë që mbështesin 5G, patjetër që gjejmë edhe Galaxy S21 Ultra 5G ashtu sikurse kemi Google Pixel 4A 5G dhe Pixel 5, Motorola Edge Plus OnePlus 9 dhe 9 Pro si dhe Samsung Galaxy S21, modele këto që mbyllin top 5-shen e telefonave të mençur që mbështesin rrjetin 5G, e që janë tejet të sofistikuara.
Shatori i vitit 2021, ka zënë vend në kalendarin historik të teknologjisë pasi që për herë të parë, zyrtarisht u realizua fluturimi me turistë në orbitë. Një raketë e SpaceX, u ngjitë në orbitë mbrëmjen e 15 shtatorit, ndërsa ekuipazhi i ‘Inspiration4’, ishte i përbërë nga katër persona, asnjë prej të cilëve nuk ishin astronautë profesionistë. Viti 2021 do të mbahet mend edhe për rënien prej 6 orëve të Facebook dhe aplikacioneve të tjera të kompanisë Meta. Rrjetet sociale nën menaxhimin e Meta’s janë Facebook, Instagram dhe WhatsApp si dhe do të mbahen mend për terrin prej ‘6 orësh’ kur këto aplikacione dolën jashtë funksionit.
Robotika ka ‘lulëzuar’ përgjatë 2021-tës: Robotë që kontribuojnë në të gjitha sferat e jetës, erdhën nga gjigandët botërorë vitin që e lamë pas. Amazon prezantoi robotin shtëpiak – Astro, i cili mund të kontrollohet nga larg. Leonardo, quhet një tjetër robot që mund të jetë një dëfryes i vërtetë, pasi ai mund të bëjë akrobacione, skejtboard e madje edhe të fluturojë. Robotët kuzhinierë na erdhën nga Parisi. Bëhet fjalë për picerinë ‘Pazzi’, e cila është e pajisur tërësisht nga robotët, që nga marrja e porosive, përgatitja e brumit e deri tek vendosja e picave në kuti të klientëve. Qershia mbi tortë sa i përket fushës robotike të 2021-tës, padyshim është roboti humanoid i Elon Musk.
Dhuratën e Vitit të Ri, Radio KFOR-i për krejt dëgjuesit e ka dhuruar qysh në muajin shtator të vitit 2021, atëherë kur Radio KFOR-i u bë radio e parë vendore që hyri nën ombrellën e radiove globale, në ‘Get me Radio!’. Mjafton veç t’i kërkoni Alexa-s ta transmetojë Radio KFOR-in dhe do të jeni me ne, në çdo vend dhe çdo kohë.