Radio KFOR-i, si medium edukues, vazhdimisht realizon dhe mbështet fushata vetëdijesuese që kanë të bëjnë me çështje të ndryshme që atakojnë shoqërinë tonë, ndër të cilat padyshim që bën pjesë edhe dhuna në familje, me theks të veçantë, dhuna ndaj gruas. Radio KFOR-i vazhdon të jetë zëri mbështetës i atyre që në një formë apo tjetrën, janë pre e dhunës, e cila në të shumtën e rasteve ushtrohet nga burrat. Kujtojmë që më 25 nëntor 2021, është realizuar edhe në Kosovë, fushata ndërgjegjësuese “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, një aktivitet ky i rëndësishëm që synon forcimin e llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve vendore dhe aktorëve të tjerë në luftën kundër dhunës ndaj gruas dhe përkujtimin e viktimave të dhunës në baza gjinore. Gjatë këtyre ditëve janë realizuar aktivitete, fushata vetëdijesuese dhe është bërë thirrje të ndalet dhuna ndaj grave. Sipas një raporti të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Mjaft më me arsyetime”, mbi 68% e grave në Kosovë, kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës gjatë jetës së tyre.
Ky aktivitet ka nisur së realizuari nga aktivistë të ndryshëm në Institutin përurues të Lidershipit Global të Grave, në vitin 1991 dhe vazhdon të koordinohet çdo vit nga Qendra për Lidershipin Global të Grave. Përdoret si një strategji organizuese nga individë dhe organizata në mbarë botën për të bërë thirrje për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Në mbështetje të kësaj nisme të shoqërisë civile, fushata UNiTE e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për t’i dhënë fund dhunës kundër grave, deri në vitin 2030, bën thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin, për të nxitur përpjekjet e avokimit dhe për të shkëmbyer njohuri.