Organizata joqeveritare ‘Etea’ në bashkëpunim me organizatën ‘Terre des hommes’, sot (24.07.18) nga ora 15:00 në Qendrën e Komunitetit ‘Termokiss’, ka organizuar program për fëmijë në kuadër të kampit veror ‘ARTivizmi edukativ’, për të rinjtë në Komunën e Prishtinës.
Ky organizim ka për qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve rreth rëndësisë së arsimimit dhe të drejtave të fëmijëve. Po ashtu, ky projekt do të ndihmoj në vetëdijësimin e të rinjve për parandalimin e braktisjes së shkollimit.
Zyrtarja për mardhënie me publikun në organizatën ‘Etea’, Erza Kurti, për Radio KFOR-in, na tregoi më shumë për këtë program edukativ dhe qëllimin e këtij aktiviteti:
“Ne me këtë program kemi nënkuptuar aktivizim përmes artit dhe qëllimi i këtij kampi ka qenë për ngritjen e vetëdijes, për të mos braktisur shkollën dhe për rëndësinë e shkollimit. Gjithashtu, kemi dashur që fëmijët me qenë vet promovues të arsimimit më të mirë. Për shëmbull, kemi grupin e fëmijëve të pikturës, poezisë, aktivizmit, dramës dhe nëpërmes këtyre grupeve fëmijët argëtohen dhe edukohen”, tregoi Erza.
Partnerë mbështetës të këtij aktiviteti janë ‘Komuna e Prishtinës’, ‘SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë’ dhe ‘Qendra për Punë Sociale’.