Këngëtarja Rona Nishliu, është përfaqësuesja e parë e ftuar në kongresin e përvitshëm të organizatës së fansave të Eurosong, në Spanjë. Ajo u prit me ovacione e duartrokitje të gjata, njejtë si në prezantimin e saj para 6 vitesh në përfaqësimin e saj në Eurovizion, që ishte mbajtur në Baku të Azerbejxhanit në vitin 2012.
Në sesionin e pyetje-përgjigjeve, fansat spanjollë pyetën nëse Rona do të merrte pjesë përsëri në Eurovision, por këtë herë si përfaqësuese e Kosovës.
Rona Nishliu në një prononcim për Radio KFOR-in, u shpreh se mund të rikthehet në garën e këngës Evropiane për të përfaqësuar vendin e saj, nëse kjo do të ishte e rëndësishme për Kosovën. Gjithashtu, si me shaka, ajo kishte pyetur fansat spanjollë nëse mendojnë se duhet ta përsërisë pjesëmarrjen e saj, dhe ata u shprehën të entuziazmuar dhe u përgjigjën se ajo duhet patjetër ta bëjë një gjë të tillë!
Rona shpjegoi se punon në ‘Radio Televizionin e Kosovës,’ që është pjesë e grupit që po bën përpjekje t’i mundësoj pjesëmarrjen vendit të saj në këtë festë të përvitshme të këngës europiane.