Edhe këtë vit vazhdon eksplorimi i hapësirave publike të qytetit të Prishtinës, në kërkim të pikave që provokojnë nisjen në lëvizjen e përbashkët me qytetin, organizuar nga Festivali “HAPU”, i cili nisë së realizuari nesër.
Festivali i Artit në hapësira publike “HAPU”, këtë vit hapet me lëvizjet e “Liquid Loft” nga Austria, të koreografuara nga Chris Haring.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, drejtori i “HAPU”, Florent Mehmeti, na dha detaje më shumë rreth këtij festivali.
“Bashkë me prishtinasit do të lëvizim deri në oborrin e Muzeut të Kosovës dhe prej aty do të jehojnë në kokat tona shumë e shumë gjuhë nga kënde të ndryshme të Evropës, përfshirë edhe gjuhën e regjistruar në Prishtinë, të asociuara me imazhet në lëvizje të krijuara me finesë nga Liquid Loft. Duke vënë në lëvizje trupat dhe duart tona të udhëhequra nga Frank Bölter do të palosim së bashku origami objekte të madhësive reale që lëvizin me ne”, tha mes tjerash Mehmeti, duke shtuar se pikënisja tjetër e lëvizjes është vendosur në objektin e Fakultetit të Arteve, prej ku do të fillohet udhëtimi artistik, krijuar nga Kunstlabor nga Graci i Austrisë si dhe artistët vendorë nga Teatri ODA.
Atraktive pritet të jetë edhe nata e fundit me lëvizjet e aktorëve në ulje e ngritje të kompanisë së re “NOA dance theatër”, në bashkëpunim me Teatrin ODA, nën përkujdesjen e mjeshtërisë koreografike të Robert Nuhës.
Lëvizja e qytetit do të prodhoj imazhet e lëvizura, të transformuara në një film që për rol kryesor ka banorët e Prishtinës dhe vizitorët e shumtë të saj.
Festivali i Artit në Hapësira publike “HAPU” përmbyll aktivitetet e saj me datën 21 korrik.