Në kuadër të kampanjës së sportit, #sportk4 që po zhvillohet këtë muaj në Radio KFOR, sot (17.11.22) kishim të ftuar Sekretaren e Përgjithshme në Federatën e Basketbollit të Kosovës, znj. Elvira Dushku, e cila ndau me dëgjuesit rrugëtimin e saj në botën e basketbollit, si një nga gratë e pakta në pozita udhëheqëse, në basketboll. Ajo tregoi për punën e saj në Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe qëllimet që i ka synim që ti arrijë si bartëse e kësaj pozite: “Në ‘Federatën e Basketbollit të Kosovës’ bashkërisht me bashkëpunëtorët në federatën tonë, jemi rritur në aspektin e menaxhmentit dhe aspektin financiar. Jam shumë e kënaqur për hapësirën që kam në Federatë, që të implementoj të gjitha ato që kam mësuar nëpër trajnime bashkë me stafin tonë dhe një nga qëllimet e mija kryesore, është që të shtyj sportin përpara, që nga viti 2015, prej se jam pjesë e Federatës së Basketbollit të Kosovës”.
Znj. Elvira, tregoi që përveç ndeshjeve që do të zhvillojnë ekipet e basketbollit, në kuadër të planit strategjik të Federatës së Basketbollit të Kosovës, një nga pikat kryesore është që të përfshijnë gratë dhe vajzat në basketboll jo vetëm si lojtare por edhe në pozitën e referes, trajnereve, vëzhguesve të ndeshjeve e fushave të tjera. Ajo gjithashtu tregoi se pika e parë e planit të tyre është ‘Basketbolli për të gjithë’, që ka të bëjë me përfshirjen e të gjitha komuniteteve në Kosovë, pa dallime etnie apo gjinie.
Sekretarja e Përgjithshme në Federatën e Basketbollit të Kosovës, pati edhe një porositi për të gjithë të rinjtë, që të punojnë me përkushtim dhe të mos dorëzohen asnjëherë, në ndjekjen e ëndrrave të tyre, duke potencuar që edhe gratë duhet ta përkrahin njëra-tjetrën edhe më shumë.