Organizata ‘Wiseword Kosova’ me seli në Prishtinë, ka filluar fushatën ‘Be Great, Choose Wise’ që ka për qëllim sensibilizimin e të rinjve nga Kosova për mundësinë e studimeve në Mbretërinë e Bashkuar, rrugën që ata duhet të ndjekin për të studiuar në universitete prestigjioze botërore, të përfitojnë nga një sistem edukimi efikas dhe t’i realizojnë ëndrrat e tyre në këtë eksperiencë unike.
‘Wiseword Kosova’ ka sjellë ekskluzivisht përfaqësuesen e një prej kolegjeve elitare në Mbretëri të Bashkuar, Dr. Nicola Robinson – zv. drejtoreshë e ‘CATS COLLEGES’, për të informuar studentët dhe prindërit se çfarë ata do të mund të përfitojnë nga studimet e tutje. Me këtë rast, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me Dr. Nicola Robinson, e cila tregoi më shumë rreth kësaj mundësie dhe potencialit që kanë të rinjtë nga Kosova, për të studiuar në Mbretërinë e Bashkuar: “Sa i përket potencialit, në të vërtetë varet nga vet studenti-ja. Ne shohim potencial tek të gjithë studentët tonë dhe mundohemi që edhe ata ta kuptojnë këtë. Tek kolegji ynë, nuk është vetëm potenciali akademik që ofrojmë, por u japim mundësi dhe eksperienca që ta mbështesin dhe forcojnë aplikimin e tyre. Shumë studentë nuk duan të përkushtohen në dy vite të plota ose një të studimeve, prandaj kampet verore që ne ofrojmë janë “seanca testuese” shumë të mira, të cilat mund të jenë mbështetje në karrierë, në sporte, etj., por në të vërtetë është eksperienca kulturore, jetesa dhe studimi në një shtet tjetër i cili ka avantazhe shumë të mëdha për studentët.”
Dr. Robinson theksoi gjithashtu se Kosova është e mrekullueshme dhe studentët këtu janë shumë të lidhur me gjuhën angleze, gjë që i ndihmon ata nëse zgjedhin Mbretërinë e Bashkuar për studime dhe ky është një avantazh i madh dhe interesimi është i lartë.
Për informata të tjera rreth këtyre mundësive, të interesuarit mund të vizitojnë faqen: wisekosova.com apo rrjetet sociale në Instagram dhe Facebook.