Të gjithë jemi të familjarizuar me enciklopedinë “Wikipedia”, të cilës i referohemi sa herë që duam të dimë më shumë rreth një çështjeje apo individi të caktuar, mirëpo jo të gjithë e dimë ekzistimin e grupit të përdoruesve ”Wikipedianët e gjuhës shqipe”?! Me qëllim të rritjes së sasisë dhe cilësisë së artikujve dhe materialeve multimediale në ‘Wikipedia Shqip’, në vitin 2014 është krijuar ky grup i ”Wikipedianëve të gjuhës shqipe”.
Cili është misioni konkret i funksionimit të këtij grupi dhe cilët janë përfituesit e tij, në një prononcim për Radio KFOR-in, na ofroi detaje menaxherja e projektit përkatës, znj. Rita Maliqi: “Ne operojmë në mbështetje të programeve ‘Edukim’, program i cili nxit mësuesit që të përdorin Wikipedia, si mjet mësimor, me anë të të cilit studentët përmirësojnë shkathtësitë e tyre për shkrime akademike, aftësi teknike, zhvillim të mendimit kritik, kërkimeve me tematikë të gjerë, shkrim-leximit të mediave, duke u bërë kontribuues të njohurisë së lirë e cila arrin miliona njerëz. Aty ofrohet edhe programi ‘GLAM’ (Galeri, Biblioteka, Arkiva dhe Muzetë), i cili ndihmon institucionet kulturore të ndajnë informacionet e tyre me botën nëpërmjet projekteve bashkëpunuese të redaktorëve të Wikipedias, etj. “
Znj. Maliqi, po ashtu bëri thirrje për pjesëmarrje të dëgjuesve të Radio KFOR-it, në aktivitetet edukuese, informuese dhe argëtuese të këtij grupi, përmes së cilit krijohen bashkëpunime, organizohen aktivitete dhe mbështeten projekte, të cilat promovojnë informacionin e lirë dhe kulturën e Wikipedias.