“Ndërsa rriteni, do të zbuloni se keni dy duar – një për të ndihmuar veten, tjetrën për të ndihmuar të tjerët”, kjo është një nga qindra e mijëra thëniet që përkufizojnë dhe inkurajojnë punën vullnetare. Puna vullnetare është akt mirësie e secilit individ i cili me vullnetarizmin e tij, kontribuon në të mirë të shoqërisë. I angazhuar me punë vullnetare është edhe Shpëtim Shala i cili me profesion është Gjyqtar i Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe njëherit Kryetrajner në Klubin e Atletikës “Citius”. Angazhimet e shumta nuk e ndalojnë që të gjejë kohë edhe për punë vullnetare, e për një të tillë edhe është shpërblyer. Në një intervistë për Radio KFOR-in z. Shala, ka treguar se në Kampionatin Botëror të Hendbollit për Universitete, është certifikuar me diplomë për punën vullnetare: “Ka qenë kënaqësi në rend të parë për mua që për herë të parë është mbajtur një Kampionat Botëror i Hendbollit për Universitete në Prishtinë, ku unë si gjyqtar i hendbollit jam munduar që sadopak të kontribuoj në mënyrë vullnetare që me qenë sa më mirë organizimi dhe pjesëmarrësit që kanë ardhur nga Spanja, Korea e Jugut, e vende të tjera, të jenë të kënaqur me organizmin.”
Z. Shala, ka ftuar të gjithë të rinjtë e Kosovës, që edhe ata të bëjnë punë vullnetare, kurdo që gjejnë kohë dhe hapësirë: “I ftoj të gjithë të rinjtë e të rejat e Kosovës që të angazhohen sa më shumë në punë vullnetare pasi që është një përvojë nga e cila mësojnë dhe aftësohet, pastaj socializohen dhe njohin njerëz të rinj. Për shembull, unë kam bërë miq nga Spanja, Korea e Jugut e vende të tera, me të cilët kemi shkëmbyer ide, kemi njohur kultura të reja dhe kemi përfituar njohuri të reja.”
Komuniteti, njeh qindra të mira nga puna vullnetare e personave që kontribuojnë, në të mirë të shoqërisë.