Manifesta 14’ në Prishtinë, po vazhdon të sjellë aktivitete të ndryshme në vendin tonë. Përgjatë kësaj jave, artdashësit do të kenë mundësi të shohin nga afër punëtori, ekspozita, panele diskutimi e shumë aktivitete të tjera.
Ndërsa sot (10.08.22) në katin e nëntë, të Grand Hotel Prishtina, nga ora 18:00 deri në orën 19:00, do të bëhet prezantimi “Kafshët. Na ishte një herë… Në kohën e tashme”, nga artisti z. Driant Zeneli.
E në lidhje me këtë aktivitet, Radio KFOR-i ka biseduar me Koordinatoren për Media në Manifesta, znj. Nita Deda, e cila dha detaje shtesë rreth artistit dhe gjithë ngjarjes: “Kërkimi i Driant Zenelit, përkufizon idenë e humbjes, utopisë dhe ëndërrimit, duke i pozicionuar ato si ide që hapin shteg për mundësi të tjera. Zeneli punon mes formave të ndryshme të prodhimit artistik, nga vizatimi tek filmi e perfomancat.”
Artisti z. Zeneli, që nga viti 2008 ka nisur një projekt të edukimit përmes artit dedikuar marrëdhënies mes praktikës dhe kërkimit, duke hulumtuar praktika alternative të edukimit dhe krijimit.