Grupi i vullnetarëve, i njohur ndryshe edhe si “Vullnetarët/Volunteers #COVID19”, i krijuar me iniciativë të organizatës mjedisore “Let’s Do It Kosova”, po vazhdojnë realizimin e aktiviteteve të ndryshme në terren, në kuadër të fushatës “Së bashku kundër CoViD-19”, e cila është lansuar në fillim të muajit gusht 2020.
Një nga menaxhuesit e këtij grupi, Besnik Shabiu, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se këto iniciativa janë marrë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me ‘CoViD-19’ dhe shtoi: “Aktivitetet e reja që janë ndërmarrë në fillim të muajit gusht, ishin në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe kishin për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për t’i respektuar masat për mbrojtje nga pandemia. Deri më tani janë shpërndarë maska dhe broshura informative, përmes të cilave bëhet thirrje për respektim të udhëzimeve të IKSHPK-së, për të shpëtuar sa më shumë jetë. Ky po vazhdon të jetë misioni, që qytetarët të vazhdojnë të mbajnë maska dhe të jenë vigjilent ndaj virusit.”
Tutje, z. Shabiu tha se fokusi është që fushata të vazhdojë, por për këtë ju duhet ndihmë: “Po presim edhe mundësi të tjera, sepse fushata ka koston e vetë. Të gjitha materialet që janë shpërndarë, si bluzat, broshurat, maskat dhe dezinfektuesit kanë qenë nga grumbullimi i mjeteve që njerëzit i kanë dërgu vullnetarisht. Fushata varet nga donacionet e reja dhe ndihma nga institucionet.”