Që nga sesioni i 64-të, i mbajtur më 2 dhjetor të vitit 2009, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e shpalli 29 gushtin “Ditë Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore”. Ndryshe nga vitet e shkuara, për shkak të masave të vendosura kundër pandemisë së shkaktuar nga CoViD-19 gjithandej globit, në shënimin e “Ditës Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore”, është mbajtur një takim virtual. Kështu ka njoftuar Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, z. Tijjani Muhammad-Bande, i cili ka thirrur mbledhje plenare të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme më 26 gusht 2020 i cili në fjalimin e tij, ndër të tjera tha: “Kjo ngjarje po ndodh në një kohë kur bota po përballet me një kërcënim të paparë, nga pandemia e COVID-19, që po zhvillohet me shpejtësi. Uroj që ata që vuajnë nga sëmundja e koronavirusit të shërohen sa më shpejtë dhe ju shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta gjithë atyre që kanë humbur të dashurit. Kërcënimi nga pandemia COVID-19 dhe efektet e saj në shëndetin dhe jetesën e njerëzve, sjell në pah nevojën për të ndjekur kolektivisht veprime për të mbrojtur njerëzimin, përfshirë këtu edhe prioritetin e një bote të lirë nga kërcënimi i armëve bërthamore.”
Ndryshe, testimi i armëve bërthamore filloi për herë të parë më 16 korrik të vitit 1945 dhe nga ajo kohë, rreth 2.000 testime kanë ndodhur tashmë. Tragjeditë në njerëz dhe mjedis që janë rezultat i testimeve bërthamore, janë arsye bindëse për nevojën e “Ditës Ndërkombëtare kundër Testeve Bërthamore”, ditë kjo që synon të rrisë vetëdijen dhe të shfaqë nevojën për përpjekje të unifikuara për të parandaluar testimin e armëve bërthamore.