Në kuadër të kampanjës #PSYCHOLOGISTS në Radio KFOR, në emisionin e mesditës ‘Macchiato Lounge’, tek moderatorja/gazetarja Trëndelina Duli, e ftuar ishte Psikologe dhe Terapistja Stimuluese në Institutin për shërbime psikologjike-sociale “Visar Sadiku” në Prishtine, znj. Vlora Fejza.
Psikologe Fejza, gjatë bisedës foli për marrëdhëniet e shëndosha mes fëmijëve dhe prindërve, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e shëndetshëm emocional dhe social të fëmijëve.
Marrëdhënie pozitive të shëndosha ndërmjet prindërve dhe fëmijëve, janë thelbësore për të ndihmuar fëmijët të ndiejnë siguri dhe kuptueshmëri, tha ndër të tjera Psikologe Vlora dhe më tutje shtoi: “Disiplina është mundësia më e mirë për të menaxhuar sjelljet. Përdorni përforcues (shpërblime) për sjellje të mira dhe përdorni kushtëzime (dënime) për sjellje jo të mira. Nëse një fëmijë e ka bërë një sjellje agresive, një sjellje jo të përshtatshme, ju duhet ta kushtëzoni kohën e tij të qëndrimit në telefon, apo pajisje teknologjike.”
Ofrimi i kushteve, rregullat e qarta dhe të kuptueshme, ndihmojnë në zhvillimin e fëmijës, por sipas Psikologes Fejza, mbi të gjitha fëmijët kanë nevojë për kohën dhe dashurinë e prindërve, e cila nuk duhet t’iu mungojë: “Dhurata më e mirë për fëmijët është koha juaj. Koha më e çmuar dhe më me vlerë e fëmijës është afër familjes. Sigurohuni t’iu tregoni fëmijëve tuaj se i doni ata. Pastaj, kur ktheheni nga puna flisni me ta, shikoni në sy, jini të durueshëm, përkrahni ata, fikni telefonin, bëni ecje në natyrë dhe luani me fëmijët, sepse loja me prindërit është kujtimi më i bukur për ta.”
Kaloni kohë më shumë me fëmijët, sepse qëndrimi më i gjatë i prindërve me fëmijë i ndihmon ata të ndërtojnë vetëbesim dhe të ndjehen të rëndësishëm dhe të dashur për familjen dhe rrethin ku jetojnë!