Të kesh një hobi në jetë të sjell gëzim dhe freski. Hobi na ndihmon të menaxhojmë kohën e lirë si dhe ta planifikojmë atë në mënyrë më produktive. Të mirat e tij nuk kanë fund, hobi ndihmon edhe në shëndet, duke ulur rrezikun e presionit të lartë të gjakut, zvogëlon rrezikun e depresionit dhe çmendurisë.
Por, a ka rëndësi përzgjedhja e hobit në jetën tonë dhe cili është ai hobi që të përmbushë më shumë, për Radio KFOR-in tregon psikologia klinike në Qendrën “Ri-jeta” në Ferizaj, Arjeta Musliu: “Mos ta shohim hobi vetëm leximin apo shikimin e një filmi apo diçka tjetër që ka kaluar në rutinë tek ne. Ne kemi shumë për të shpalosur nga vetja dhe mund të gjejmë veten në shumë aspekte humane, vullnetare ku edhe ajo të përmbush shpirtërisht, pra fillimisht e përmbushë vetën e pastaj je i dobishëm edhe për shoqërinë.”
Hobi jep një mundësi të mirë për të përmirësuar jetën tuaj, prandaj mos hezitoni filloni një hobi të ri!