Parkut të qytetit të Prishtinës, këtë javë përgjatë datave 17 dhe 18 qershor, do ti shtohen ngjyrat, ku në këtë pjesë të kryeqytetit do të zë vend Festivali Multikulturorë “Të festojmë së bashku”, një festival tashmë tradicional që po vazhdon të promovojë diversitetin kulturor të vendit tonë.
Rreth kësaj ngjarjeje ka folur zyrtarja për media nga OJQ Voice of Roma, Ashkali and Egyptians znj. Kiki Rrahmani, e cila për Radio KFOR-in tregoi detaje tjera: “Festivali Multikulturorë, është një ngjarje tradicionale e organizuar nga OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians”, qëllimi kryesor i të cilit është ngritja e vetëdijes, promovimi i diversitetit, ndërgjegjësimi për identitetin kulturor të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Po ashtu, ky festival ka për qëllim edhe promovimin e artistëve të rinj dhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, duke ofruar mundësi të barabarta për të gjithë.”
Festivali në fjalë përmban aktivitete të shumta të cilat do të zhvillohen nga ora 11:00, deri në orën 19:00, me përmbajtje poezi, muzikë dhe dokumentarë. Përveç kësaj, do të jetë edhe tregu i shitësve artizanal që do të shesin dhe promovojnë një gamë të gjerë të veprave artizanale, ushqimeve, koleksioneve, veshjeve, arteve dhe shërbimeve të veçanta nga e gjithë Kosova.