Periudha pandemike në të cilën po kalojmë, ka sjell shumë sfida si për studentët ashtu edhe për profesorët universitar, meqë sfiduese nuk është tanimë vetëm mësim-nxënia por edhe të mësuarit në një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë.
Muaji tetor përndryshe njihet edhe si muaji i studentëve, sepse pikërisht në këtë periudhë fillon viti i ri akademik, e për këtë proces na ka informuar më shumë Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje studentore në UP, zonja Mimoza Ibrani, e cila për Radio KFOR-in tha: “Mund të ju njoftojmë se mësimi me prezencë fizike në Universitetin e Prishtinës, për vitin akademik 2021/22 bazuar në vendimin e senatit, ka filluar me datën 15 tetor. Studentët obligohen që në hyrje të objekteve universitare, të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose njërën nga dëshmitë që kërkohen nga vendimi i fundit për respektimin e masave për mbrojtje nga virusi. Në ato fakultete ku nuk është i mundur mësimi me prezencë fizike, për shkak se vendimi i ri parasheh distancën 1.5 metër në mes të studentëve, grupi do të ndahet në dy nën-grupe. E nëse edhe kjo nuk mund të respektohet, do të shihen modalitete tjera të organizimit të mësimit në formë hibride. Pra synimi është që në të gjitha rastet mësimi të jetë me prezencë fizike, duke i respektuar masat dhe rekomandimet për mbrojtje nga pandemia COVID-19, por në ato raste kur kjo nuk është e mundur, grupi do të shqyrtoj forma alternative të mësimit, deri në masat e radhës.”