20 tetori, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Statistikave” dhe ka për qëllim që të vë në pah rëndësinë e madhe që kanë Institucionet Statistikore, në shoqëritë e mbarë botës.
Për shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i ka intervistuar Ushtruesin e Detyrës së Krye shefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, z. Ilir Berisha, i cili tha: “Kjo ditë është festë për të dëshmuar në mbarë botën njohjen dhe mirënjohjen e vendeve të ndryshme ndaj institucioneve të tyre kombëtare të statistikave, për shërbimet e ofruara nga këto institucione, detyra kryesore e të cilave është prodhimi i statistikave zyrtare dhe ofrimi i tyre tek planifikuesit, vendimmarrësit, studiuesve e mediave dhe institucioneve tjera ndërkombëtare. Qëllimi i shënimit të “Ditës Botërore të Statistikave”, është që të rrisë ndërgjegjësimin statistikor dhe të ruaj besimin e publikut në statistikat zyrtare, për më tepër kjo ngjarje shpreh mbështetjen dhe vlerësimin e statistikantëve, për punën e tyre dhe nivelin e tyre kulturor që i përmbahet kodit të praktikave siç janë: pavarësia profesionale, përkushtimi ndaj cilësisë, konfidencialiteti i të dhënave, afatet kohore dhe përpikëria, koherenca dhe krahasueshmëria dhe parimet tjera që kanë të bëjnë me ambientin institucional, proceset statistikore dhe produktet statistikore. Për të ju përmbajtur këtyre parimeve, shumë zyrtarë të statistikave, sikurse në mbarë botën edhe në Kosovë, gjatë periudhës së pandemisë, nga viti 2020 janë angazhuar me një vetëmohim të pashoq, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, për të ofruar statistikat zyrtare. Për fund, i përgëzoj të gjithë zyrtarët e statistikave duke ju uruar shëndet dhe suksese në punën e tyre të vazhdueshme.”
“Dita Botërore e Statistikave” shënohet nga viti 2010 dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e të dhënave të besueshme dhe autentike. Rëndësia e statistikave qëndron në atë që të dhënat nga fusha të ndryshme, ndihmojnë në paraqitjen reale të problemeve shoqërore, ekonomike dhe sociale për të mësuar më mirë gjendjen e përgjithshme të një vendi.