Sot (04.04.23), në ‘Ditën Ndërkombëtare të Vetëdijesimit ndaj Minave’, në gjithë botën organizohen aktivitete të ndryshme, që kanë për qëllim ndërgjegjësimin e njerëzve rreth minave tokësore dhe rreziqet që vijnë nga to.
OKB-ja e ka shpallur këtë ditë, më 8 dhjetor, të vitit 2005 dhe kjo ditë ka nisur të shënohet për herë të parë më 4 prill, të vitit 2006. ‘Dita Ndërkombëtare e Vetëdijesimit ndaj Minave’ bën thirrje për përpjekje të vazhdueshme nga shtete të ndryshme të botës, për të ndihmuar në krijimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të veprimit ndaj minave, në vendet ku minat dhe mbetjet eksplozive të luftës, përbëjnë rrezik serioz për sigurinë dhe shëndetin e njerëzve.
Minat dhe mjetet e pashpërthyera janë ende kërcënim për sigurinë e njerëzve në Kosovë. Sipas Planit Kombëtar të Çminimit, Kosova pritet të pastrohet nga të gjitha lokacionet e rrezikshme dhe të kontaminuara me eksploziv, deri në vitin 2025. Fatkeqësitë e minave mund të eliminohen vetëm nëse të gjithë bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës. Nëse shihni ndonjë minë apo objekt të dyshimtë, telefononi menjëherë Policinë e Kosovës, në numrin 192.