Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, në mbledhjen e mbajtur sot (05.04.21), Qeveria e Kosovës ka miratuar masat e reja anti-CoViD-19. Ndër masat e marra hyjnë ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.
Institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, do të kalojnë në mësim online nga data 12 deri më 18 prill, ndërsa ato universitare nga data 6 deri më 18 prill 2021.
Po ashtu njoftohet se nga data 7 e deri më 18 prill, shërbimet e gastronomisë do të lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”. Bartja e maskës edhe më tutje mbetet obliguese.
Të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë hyrjes në Kosovë duhet të paraqesin vërtetim për test RT-PCR negativ të bërë më së largu 72 orë para hyrjes në Kosovë, në të kundërtën duhet të vetë-izolohen për 7 ditë. Përjashtim nga ky vendim, bëjnë qytetarët e Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 24 orët e fundit.