Xhudistët vëlla e motër, Akil dhe Nora Gjakova, janë shpallur sportistët më të mirë për këtë vit nga “Grupi KOHA”, në ceremoninë e 20-të jubilare të ‘Sportistit të Vitit 2018’.
Xhudisti Akil Gjakova e pati vitin më të suksesshëm në karrierë, në kategorinë deri në 73 kg. E fitoi titullin e Evropës në Grupmoshën U23 dhe në Lojërat Mesdhetare. Vende të dyta mori në Grand-Slamin e Abu Dhabi dhe Grand-Prix në Hagë si dhe është i vetmi sportist i Kosovës që marshon sigurt drejt normës olimpike. Nga ana tjetër xhudistja Nora Gjakova, e fitoi titullin e Evropës në kategorinë deri në 57 kg. Ajo fitoi vendet e para në Tunizi e Antalia dhe në Lojërat Mesdhetare. E pesta doli në Grand-Prix në Zagreb dhe e shtata në Botëror. Më pas, triumfoi në Grand-Slam në Abu Dhabi, e me të argjendtën u stolis në Grand-Prix në Tashkent.