Faza e dytë e kampanjës për legalizimin e armëve e cila ka filluar më 15 qershor dhe do të vazhdojë deri më 17 Shtator 2019, ka për qëllim inkurajimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës që t’i legalizojnë armët, nëse i posedojnë ato, në mënyrë që të ofrohet një siguri për të gjithë banorët të cilët jetojnë në Kosovë, pa dallim.
Pikërisht për këtë kampanjë, Radio KFOR-i kontaktoi menaxherin e projektit në fjalë që realizohet në kuadër të UNDP-së, Programit për Siguri në Kosovë, “Mentor Cakolli, i cili tha:
“Dëshiroj që përmes valëve të Radio KFOR-it të ftoj dhe të inkurajoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë mundësinë e ofruar nga Ministria e Punëve të Brendshme për të hyrë në Procesin e Legalizimit të Armëve Ilegale, sepse sa më pak armë ilegale që kemi në duart e qytetarëve do të ngritët siguria në bashkësi dhe do të kemi një shoqëri sa më paqësore dhe të padhunshme. Andaj, ju lutem shfrytëzojeni këtë mundësi të ofruar nga Ministria e Punëve të Brendshme për legalizimin e armëve ilegale, deri më datën 17 shtator 2019. Arma e ka sibolikën e dhunës, arma e dhunshme, kështu që nëse duam një shoqëri të pa dhunshme, atëherë duhe t’i largojmë armët ilegale nga duart e qytetarëve”.
Një mesazh të tillë, të fuqishëm, kishte edhe zyrtari i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Departamentin për Siguri Publike, Burim Kadriu, i cili enkas për dëgjuesit e Radio KFOR-it, theksoi:
“I ftoj të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë e legalizimit të armëve të tyre të cilat i mbajnë pa leje deri më datën 17 shtator, 2019. Arma është një mjet i dhunshëm dhe ajo shkakton rrezik në popullatën e përditshme, prandaj edhe një herë ju bëj thirrje që të aplikoni për legalizimin e armëve të cilat ju I posedoni pa leje.”
Sipas informatave të marra nga Ministria e Punëve të Brendshme, në kampanjën e parë për legalizimin e armëve ka pasur rreth 1428 kërkesa për legalizim, rreth 682 pëlqime të lëshuara dhe 7 kërkesa për de-aktivizim. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1300 armë, respektivisht në vitin 2016 ka konfiskuar 1292 armë, në vitin 2017 ka konfiskuar 1211 armë, ndërsa në vitin 2018 ka konfiskuar 1473 apo gjithsej 6176 konfiskime dhe legalizime.