Përballja me Covid-19 vazhdon të jetë e rënduar edhe më tej në Kosovë. Mbi 300 pacientë janë të shtruar çdo ditë në Qendrën Klinike Universitate të Kosovës dhe qindra të tjerë në spitalet regjionale të komunave të Kosovës. Kjo situatë e ka rënduar edhe stafin shëndetësor, të cilët për më shumë se një vit kanë qenë në gatishmëri për të ndihmuar pacientët me Covid-19. Radio KFOR-i intervistoi pulmologen, Dr. Rukije Mehmeti, e cila tha se ende po përballemi me situatë jo stabile dhe ndryshimi i situatës varet nga kujdesi i njerëzve: “Sa i përket situatës aktuale me Covid-19, ende nuk mund të relaksohemi, sepse spitalet ende janë të stërmbushura dhe numri i pacientëve është edhe më tej i lartë, që i frekuentojnë institucionet publike dhe private. Se si do të rrjedhë situata, varet nga vet popullata. Sa më shumë ne të kemi kujdes aq më i vogël do të jetë numri i të prekurve me Covid-19. Ne njerëzit jemi ata që do ta lirojmë ose mbyllim vendin.”
Deri më tani në Kosovë si pasojë e COVID-19, kanë humbur jetën mbi 2 mijë persona dhe mbi 80 mijë persona janë shëruar nga ky virus. Është detyrë e secilit prej nesh të kujdesemi për vetën, mirëpo edhe të mbrojmë të tjerët duke respektuar masat anti-covid.