Krahas misionit paqeruajtës që ka KFOR-i në Kosovë, të ofrimit të një ambienti të qetë, të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë, misioni paqeruajtës i KFOR-i në Kosovë, po u del në ndihmë të ndryshme popullatës edhe përmes ndihmës së Ekipit Ushtarak dhe Civil (CIMIC) me projekte e donacione të ndryshme.
CIMIC-u, përgjatë këtij viti (2023), ka kontribuuar edhe në përmirësimin e jetës së të gjitha komuniteteve në Kosovë, në të gjitha fushat e jetës përmes aktiviteteve, dhurimit të pajisjeve të ndryshme si dhe shtytjes së zhvillimit të programeve të ndryshme.
Këtë vit (2023), CIMIC-u e nisi me projektin e iniciuar nga LMT-të, të cilët veprojnë në zonën e Komandës Rajonale – Perëndim, me një donacion në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët ‘Anton Santori’, në fshatin Biti e Epërme, në komunën e Shtërpcës, e cila u pajis me kompjuterë dhe projektorë, të cilët do të ndihmojnë në ofrimin dhe zhvillimin e mësimit më cilësor.
Më 28 shkurt, falë një projekti tjetër të CIMIC–ut të cilët veprojnë në zonën e Komandës Rajonale – Perëndim, ishte Qendra e Shëndetit Mendor (QSHM ) në Podujevë, ajo e cila u pajis me mjete cilësore mjekësore.
Pastaj, për t‘i ndihmuar ekonomikisht gratë, Kontingjenti Italian i cili vepron në kuadër të Komandës Rajonale – Perëndim, ndihmoi Shoqatën e Gruas ‘Jeta’ në Deçan, duke ju dhuruar pajisje për kuzhinë, të cilat u kishin munguar. Promovimi i këtij projekti u bë të hënën (6 mars), në prani të përfaqësuesve të shumtë, të KFOR-it, të komunës dhe grave të cilat e përfaqësojnë shoqatën ‘Jeta’.
Më 10 mars, KFOR-i i dhuroi pajisje të rëndësishme edhe njësisë së zjarrfikësve në Drenas. Falënderues për këtë donacion dhe për gatishmërinë e KFOR-it, për të ndihmuar në vazhdimësi popullatën vendase, u shpreh edhe komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve të Kosovës, z. Afrim Gjeli.
Falë bashkëpunimit të shkëlqyeshëm në mes të KFOR-it dhe popullatës civile, Kontingjenti i CIMIC-ut Italian, shoqata “Nicola Ciardelli” në bashkëpunim me institucionet lokale, tashmë i kanë kthyer buzëqeshjen shumë fëmijëve në Departamentin e Onkologjisë në Pediatri, aty ku u përmbush një punë e nisur kohë më parë. Rritja e kapaciteteve të Spitalit Universitar të Prishtinës, ishte synim i projektit që është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet misionit të KFOR-it, Shoqatës “Nicola Ciardelli” dhe Spitalit të Pizës, për t’i mundësuar Departamentit të Onkologjisë në Pediatri, për implantimin e kateterit venoz qendror, në pacientët e pediatrisë, që vuajnë nga tumoret malinje, projekt ky që u realizua me datën 04.04.2023.
Ne kemi përmbledhur vetëm disa nga donacionet e këtij viti, mirëpo KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e një Kosove të qëndrueshme dhe paqësore përmes projekteve dhe donacioneve të CIMIC-ut, por do të mbështesë edhe çdo iniciativë që mund të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt, për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë.