Muaji shtator, zakonisht është muaji më i angazhuar për universitetet dhe studentët, të cilët përgatiten për fillimin e vitit të ri akademik në fillim të muajit tetor. Por, pandemia ‘Covid-19’, ka ndikuar edhe në jetën studentore të të rinjve, të cilët ende nuk kanë ndonjë njoftim zyrtar se si do të zhvillohet viti akademik 2020/2021.
Në një përgjigje dhënë Radio KFOR-it, zyrtarja për informim në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Blerta Dibrani, bëri të ditur se aktualisht janë në pritje të mbledhjes së Senatit të UP-së, në të cilën do të sqarohet gjithçka për këtë vit të ri akademik: “Ju informojmë që Senati i UP-së, në mbledhjen e radhës do të vendos për hapjen e konkursit për studentë të rinj në studimet themelore për vitin akademik 2020-2021. Të gjitha aspektet organizative të procedurave rreth pranimit të studentëve të rinj do të bëhen publike në këtë mbledhje.”
Tetorin e quan sfidues, veçanërisht për studentët e rinj, shefi i Departamentit të Gazetarisë në këtë Universitet, Muhamet Jahiri, i cili për Radio KFOR-in tha: “Tetori, nëse do të fillojë viti akademik ashtu siç është paraparë, do të jetë sfidues edhe për Departamentin tonë, sidomos me studentët e vitit të parë, të cilët do të jenë për herë të parë si studentë. Aktualisht, ne jemi duke mbajtur provimet me studentë të afatit të shtatorit. Të gjitha provimet janë duke u mbajtur siç kanë qenë të planifikuara, nën zbatimin e plotë të rekomandimeve të dala nga IKSHPK-ja. Për dallim nga vitet e tjera, kësaj radhe në këtë periudhë të pandemisë, aty ku ka numër të madh të studentëve, provimet janë duke u kombinuar në dy forma, atë fizike dhe përmes platformës online të rekomanduar nga UP-ja, gjithnjë për t’i respektuar masat preventive dhe për ta ruajtur shëndetin e përgjithshëm.”