Në kuadër të shënimit të ‘16 ditëve të aktivizmit’, SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime do të përmbyll aktivitetet në kuadër të ditëve kundër dhunës në familje. Sot dhe nesër (03 dhe 04 dhjetor) nga ora 09:00, SIT ka organizuar aktivitetin “Tuneli i Fundit“, në përkujtim të viktimave, (vrasja e grave/vajzave veçanërisht nga burrat, për shkak të gjinisë së tyre) në Kosovë. Aktiviteti do të mbahet në hapësirat e sheshit “Ibrahim Rugova” në Prishtinë dhe është i hapur për të gjithë.
Për të mësuar rreth këtij aktiviteti, Radio KFOR-i ka kontaktuar me menaxheren e programeve në ‘Qendrën për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime në Kosovë’ (SIT), Njomza Berisha, e cila tregoi për mënyrën se si kanë menduar ta realizojnë këtë aktivitet: “Historitë e grave/për gratë viktima të femicidit ,do të vendoset në shesh dhe njerëzit që kalojnë andej do ta kenë rastin t`i lexojnë këto storie, për ta parë një përshkrim të dhunës që gratë në Kosovë e përjetojnë përgjatë vitit, vit pas viti. Këto tregime u përgjigjen pyetjeve “Kush? Kur? Si? Çfarë?” dhe shpresojmë me këtë rast të përcjellim mesazhin edhe tek mediat tona, se këto janë pyetjet që kanë rëndësi në raportimet për rastet e dhunës dhe jo pyetja “Pse?” – sepse dhuna nuk ka arsyetim! Në fund të instalacionit, do të jetë një deklaratë e “zotimit publik”, ku të gjithë ne zotohemi se do të jemi aktivë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Deklarata është e hapur për nënshkrim nga të gjithë.”
Aktiviteti do të mbahet në përputhshmëri me masat mbrojtëse nga Covid-19 dhe aktiviteti ‘Tuneli i Fundit’ implementohet nga SIT dhe mbështetet nga UN Women Kosovo, UNFPA Kosovo, Care International Balkans, Agjensioni Austriak për Zhvillim dhe Fondacioni OAK.