Në fillim të javës së ardhshme, përkatësisht me datat 7, 8, 9 dhe 10 dhjetor, në hapësirën e Kinemasë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, do të mbahen koncertet ‘Peja Jazz’.
Me këtë event, synohet të filloj një seri tradicionale koncertesh dhe ngjarjesh përcjellëse që në fokus kryesor e kanë promovimin e muzikës xhaz dhe ideve të reja progresive.
Për të mësuar më shumë rreth këtij aktiviteti kulturor, Radio KFOR-i kontaktoi zyrtaren për komunikim dhe PR, Vita Kasapolli: “Duke filluar nga data 7 dhjetor e deri më 10 dhjetor, do të mbahet edicioni i parë i Peja Jazz. Çdo dit nga ora 17:00 do të mbahen koncerte të muzikës xhaz, në hapësirën e Kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Performuesit të cilët do të marrin pjesë janë Armend Xhaferri trio, Dukagjin Muhaxheri së bashku me Visar Kuçin dhe Ilir Bajri, ndërkaq brenda ditës së sotme do t’i publikojmë edhe performuesit e natës së katërt dhe njëherit ditë së fundit. Numri i pjesëmarrësve do të jetë i limituar, mirëpo i gjithë eventi do të transmetohet më vonë edhe virtualisht në mediat sociale të Kinemasë dhe Peja Jazz.”
Ky edicioni i parë i Peja Jazz po organizohet në kuadër të projektit të Anibar, Komunitet i Fuqizuar përmes Artit dhe Kulturës të mbështetur nga Fondi Ndërkombëtar i Ndihmës së Zyres së Jashtme Federale Gjermane, Goethe-Institut.