Në kuadër të kampanjës #CINEMATOGRAPHY sot (09.02.23), i ftuar në studio të Radio KFOR-it, ishte regjisori dhe producenti i njohur, Valon Jakupaj.
Duke treguar për angazhimet e shumta në botën e filmit, ai gjithashtu tregoi se si e nisi rrugëtimin në botën e kinematografisë: “Dashuria ime për filmin ishte e madhe qysh si fëmijë. Në fillim aspiroja të bëhesha aktor por më pas, e pashë që isha më i afërt me punën pas kamerave. Në moshë të hershme nisi interesi për të ndjekur mësime rreth regjisë, produksionit dhe filmit në përgjithësi.”
Z. Jakupaj, gjithashtu është pjesë e stafit realizues të filmit “Adnan Kafazi”, për të cilin dha më shumë detaje për dëgjuesit e Radio KFOR-it: “Fatkeqësisht filmi është art kolektiv dhe i shtrenjtë. Tek filmi “Adnan Kafazi” ne te gjithë kemi investuar, sepse kemi besuar në këtë projekt. Industria e filmit është në hapat e para dhe po mundohemi që ta zhvillojmë atë më shumë. Njëjtë sikur në Hollywood, që buxheti i filmave nuk varet nga institucionet, edhe tek ne filmi duhet të komercializohet për të mbijetuar.”
Regjisori i njohur Jakupaj, është edhe ligjërues në Universitetin AAB, prandaj për të gjithë ata që dëshirojnë të bëhen pjesë e botës së filmit, ai ndau një mesazh inspirues: “Bëni atë që keni ëndërruar, jeta dhe profesioni mund të jenë të vështira dhe më sfida, por krejt këto sfida do të iu forcojnë që ëndrrën që e keni, ta realizoni me çdo kusht. Punoni sa më fortë për ëndrrat e juaja.”