Kariesi është sëmundja e strukturave të forta të dhëmbit, e cila vjen si pasojë e higjienës së dobët orale, vizitave jo të rregullta stomatologjike, të ushqyerit jo të shëndetshëm por edhe mospërfillja e masave preventive specifike. Rreth kujdesit së higjienës orale, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me stomatologen/specialisten e protetikës, Arta Gjikolli-Loxha, e cila ndau disa këshilla dhe mënyra të përkujdesjes ndaj shëndetit oral: “Të jemi të kujdesshëm në përzgjedhjen e mjeteve për mirëmbajtjen e higjienës orale, duke filluar prej brushës me fije sa më të buta (brusha të ndërrohet çdo 2-3 muaj), pastës të pasur me fluor, shpëlarësve të gojës që janë mjete ndihmëse dhe fillit interdental, që ka një rëndësi të madhe në pastrimin e sipërfaqeve anësore e sidomos aty ku kemi dendësi (grumbullim) të dhëmbëve. Larja të bëhet së paku dy herë në ditë, në kohëzgjatje minimale 3 minuta. Për dhëmbët duhet përkujdesur që me daljen e parë të tyre, me pastrimin e tyre dhe me vizitat e rregullta tek stomatologu i fëmijëve për ruajtjen e denticionit të qumështit, tek ne e njohur si dhëmbë të përkohshëm. Ruajtja e tyre është po aq e rëndësishme sa edhe ruajtja e dhëmbëve të përhershëm sepse humbja e parakohshme e tyre, para ndërrimit fiziologjik të dhëmbëve, çon në ngecje në zhvillim të nofullave, vështirësi në ushqyerjen e fëmijëve, ngecje në të folur por mund të ketë ndikim të madh edhe në aspektin psiko-social.”
Dr. Gjikolli-Loxha, theksoi se vizitat e rregullta sistematike që nga fëmijëria e hershme, e ulin mundësinë që fëmijët të kenë prishje të dhëmbëve dhe si pasojë humbjen e tyre, në anën tjetër eliminohet frika nga stomatologu (DentoPhobia) dhe krijohet shprehi e mirë dhe kulturë e mirëmbajtjes së higjienës orale.