Vallëzimi na jep aftësinë për të komunikuar emocione shpesh më thellë se gjuha e folur. Data e sotme (29 prill), shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit’, një ditë e krijuar ndërkombëtarisht për të nderuar themeluesin e baletit modern Jean-Georges Noverre. Në këtë ditë vlerësohet vallëzimi si art skenik dhe rëndësia e shumëfishtë që ai sjellë në jetën tonë.
Radio KFOR-i për nder të kësaj dite, ka zhvilluar një intervistë me valltaren, Afërdita Baftiri, të cilën vallëzimi e ka përcjellë që nga fëmijëria, duke ndjekur kurse të baletit dhe viteve të fundit ajo është instruktore e vallëzimeve latine në kursin ‘Love and Dance Prishtina’: “Vallëzimi për mua përveç se është aktivitet fizik, është edhe formë e komunikimit, sepse përmes vallëzimit kemi mundësi të shprehim shumë emocione. Dobitë që i kam pasur ndër vite nga vallëzimi, kanë të bëjnë shumë me shëndetin fizik ashtu edhe atë mendor. Është aktivitet gjatë të cilit shpenzon energji (shpesh negative) dhe po ashtu pranon energji shumë pozitive. Vallëzimi është aktivitet i cili ndikon shumë edhe në aspektin shoqëror sepse ke mundësi të krijosh marrëdhënie sociale me shumë njerëz të profileve të ndryshme, që kanë një pasion të përbashkët.”
Prandaj, lëshoni këngën tuaj të preferuar ose dëgjoni Radio KFOR-in dhe ndjeni ritmin duke vallëzuar.