Çdo vit, në të enjten e katërt të prillit, festojmë “Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në TIK”, e cila kërkon që të kthejë vëmendjen tek rëndësia thelbësore që ka përfshirja e vajzave në fushën e Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit.
Në shumë pjesë të botës, vajzat dhe gratë përballen me pengesa për të hyrë dhe për t’u afirmuar në këtë fushë. Sipas të dhënave globale, gratë përbëjnë më pak se 30% të fuqisë punëtore në fushat e teknologjisë. Ky përfaqësim i ulët, jo vetëm që e cenon barazinë, por edhe i privon industritë nga talenti dhe perspektivat unike që sjellin vajzat. Prandaj, qëllimi i “Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK”, është që të nxisë besimin dhe vetëbesimin e vajzave për të ndjekur karrierë në teknologji, të nxisë ofrimin e mundësive për qasje të barabartë në mësim, trajnime dhe mentorim në fusha si programimi, inxhinieria, robotika, inteligjenca artificiale etj. Çdo vit, “Dita Ndërkombëtare e Vajzave dhe Grave në TIK” shënohet nën tema të ndryshme, e sivjet 2025, tema që është përzgjedhur është, “Vajzat në TIK, për transformim digjital gjithëpërfshirës”. Në këtë ditë, në mbarë botën organizohen aktivitete të shumta, por edhe në Kosovë, viteve të fundit janë shtuar iniciativa për të përfshirë më shumë vajza në teknologji, sepse duke fuqizuar vajzat në TIK, shoqëritë e botës formësojnë të ardhmen e vajzave në TIK dhe përshpejtojnë përparimin drejt një bote më të barabartë dhe me mundësi për të gjithë.