Muzika jazz është një zhanër muzikor shumë i veçantë, me fille që nga viti 1920. Me datën 30 prill, në ‘Ditën Ndërkombëtare të muzikës Jazz’, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë nga ora 20:30, do të performojë këngëtarja dhe pianistja nga Azerbajxhani, Aziza Mustafa Zadeh, që shënon performancën e saj të parë në Prishtinë.
E njohur në mbarë botën si Princesha e muzikës jazz, Aziza është një nga artistet më të njohura në botë, të këtij zhanri. Stili i saj i jashtëzakonshëm ndërthur thellësinë shpirtërore dhe lirinë e improvizimit të xhazit dhe sofistikimin e muzikës klasike perëndimore, duke krijuar një tingull që është tërësisht i saj.
Aziza, është një artiste multidimensionale e njohur edhe për pikturë, këndim dhe vallëzim. Ajo ka fituar dhjetëra çmime për muzikën e saj të veçantë për nga ritmi dhe stili.