Data e sotme, 11 shkurti, në kalendarin e Kombeve të Bashkuara i është ndarë shënimit të “Ditës së Vajzave dhe Grave në Shkence, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë”. Dita e sotme ka për qëllim të nxjerrë në pah rolin e gruas në të gjitha fushat, e për të shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ju sjell një shembull inkurajues për të gjitha vajzat dhe gratë kosovare. Znj. Gresa Latifi, është ekonomiste me profesion, e doktoruar në këtë fushë në Universitetin Politeknik të Milanos. Ajo aktualisht jeton në Munih të Gjermanisë, ku është e angazhuar si staf shkencor dhe ligjëruese në Universitetit Teknik të Munihut (TUM School of Management), më saktësisht në katedrën e Menaxhimit të Teknologjisë dhe Inovacionit (Theo Schöller Chair of Technology and Innovation Management). Në një intervistë për Radio KFOR-in, znj. Gresa Latifi tregon se si erdhi deri tek përzgjedhja e profesionit të saj: “Inspirimi për të studiuar ekonomi, më ka ardhur kur isha duke vijuar vitin e fundit të shkollës fillore. Gjatë një viti kishim në program mësimor 21 lëndë dhe nuk e di se e kujt ishte kjo ide, por nga ky mal lëndësh unë disi e veçova ekonominë. Akoma e mbaj mend deri diku definicionin e ekonomisë të cilin e kisha lexuar nga ai libër, e ku thuhej se ekonomia ka të bëjë me alokimin efiqent të burimeve të kufizuara. Kjo pra ishte një shkëndijë e parë e lidhjes sime me shkencën e ekonomisë, e cila pastaj nga një kureshtje fëmijërore u shndërrua në një pasion jetësor i cili besoj se do të më ndjekë gjatë gjithë jetës.”
Në ‘Ditën e Vajzave dhe Grave në STEAM’ znj. Latifi, inkurajon të gjitha gratë dhe vajzat kosovare që të tejkalojnë barrierat dhe të marrin pjesën që u takon në shoqëri: “Vajzat dhe gratë kosovare duhet të përpiqen të marrin pjesën që ju takon pa pyetur për konstruksionet sociale të shtresuara si fosile ne mentalitetin arkaik. Ato duhet të insistojnë edhe të dëshmojnë të kundërtën e asaj çka thuhet apo mendohet në ato rrethet ku ora e progresit dhe emancipimit është e ndalur. Vajzat sot duhet të ushqejnë pasionin për matematikën dhe shkencat tjera ekzakte si dhe të punojnë palodhshëm në mënyrë që të zvogëlohet hendeku gjinor në të gjitha drejtimet. Mendoj se respekti për profesionin fitohet në arenën e hapur të dijes, ku duhet t’i injorojmë me guxim dallimet gjinore. Pengesat joracionale duhet të na shërbejnë si katalizatorë të thyerjes së paragjykimeve mbi atë se çka në të vërtetë përfaqëson femra intelektuale në Kosovë dhe më gjerë.”
Znj. Latifi, sot ligjeron lëndën e ‘Technology and Innovation Management Master dhe Technology and Innovation Management in Practice’. Që të dyja kanë për qëllim pajisjen e studentëve me dije dhe informacionin më të fundit në fushën e menaxhimit të inovacionit, që ngërthen në vete shumë tema dhe raste studimore. Në “Ditën e Vajzave dhe Grave në STEAM” znj. Latifi thotë se shoqëria nuk duhet të mjaftohet vetëm me shënimin e kësaj dite, por duhet ti përshtatemi realitetit të krijuar si dhe institucionet përgjegjëse, duhet të krijojnë mekanizma dhe programe përmes së cilave çrrënjosin stereotipet e krijuara në lidhje me atë se kujt duhet t’i takojë hapësira për të studiuar shkencat ekzakte.