Ministria e Shëndetësisë njofton se që nga dita e djeshme (10.02.22), është hapur një pikë e re e vaksinimit kundër COVID-19, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë (orari i punës 12:00-20:00), ku do të ofrohet mundësi vaksinimi për qytetarët, përderisa vaksinimi në komunën e Prishtinës, do të bëhet edhe në pikën tjetër në “Kodrën e Trimave”, në QMF-2.
Ndërkohë, pika e vaksinimit në QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshir) dhe ajo në “Albi Mall”, janë në dispozicion çdo ditë për qytetarët, që të vaksinohen lehtë dhe shpejt, kundër COVID-19. Kujtojmë se pandemia e koronavirusit vazhdon të na atakoj të gjithëve, por kjo nuk do të thotë që ekspertët nuk kanë gjetur një strategji për fundin e kësaj pandemie.
Edhe Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, vazhdon tu bëjë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen kundër COVID-19, duke qenë që kjo është përgjigja më adekuate që sot mund t’i jepet COVID-19.
Bazuar në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit nga 4.132 testime, 717 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19, janë shënuar 4 raste të vdekjes, janë shëruar 2.370 qytetarë, numri i përgjithshëm i të shëruarve është 201.015, ndërsa në total numri i rasteve aktive është 16.849 persona.