Derisa moti ka filluar të ftohet dhe imuniteti bie, ajo çfarë hamë mbetet një gjë shumë e rëndësishme. Janë disa ushqime të cilat preferohet të konsumohen në stinën e vjeshtës, e të cilat përmirësojnë edhe shëndetin tonë.
Bazuar në këshillat e ekspertëve shëndetësorë, Radio KFOR-i ju sjellë disa prej ushqimeve, që mund t’i konsumoni gjatë kësaj stine…
Edhe në kohërat më të lashta është dëshmuar se mollët ndikojnë për një shëndet mjaft të mirë dhe në rritjen e imunitetit. Ky fryt është i mrekullueshëm për zemrën dhe për një dietë të balancuar, pastaj janë kërpudhat, të cilat kanë qenë prej kohësh numri një, për vlerat e tyre ushqimore dhe tani këtë gjë e konfirmon edhe Instituti i Kërkimeve në Japoni. Vjeshta është momenti i pikut të kërpudhave, kështu që është kohë ideale për të përfituar nga të gjitha vlerat ushqimore që ato ofrojnë. Patëllxhanët janë gjithashtu ushqim për trurin, falë një përbërësi të quajtur nasunin, i cili mbron qelizat e trurit nga oksidimi. Përbërës të tjerë të gjendur tek patëllxhanët mbrojnë gjithashtu nga kanceri, sëmundjet virale dhe ulin nivelet e kolesterolit. Kungujt janë po ashtu një ushqim shumë i shëndetshëm dhe me plotë vlera ushqyese. Kungulli i pjekur është edhe i shijshëm dhe ideal për t’u konsumuar në vjeshtë.