Muzika, zalli, pishat, deti dhe mali, janë gati për të mirëpritur pjesëmarrës nga i gjithë globi. Është UNUM Festival që po e vazhdon traditën dhe që e ka kthyer Shëngjinin, vend ku po zbarkojnë emrat më të mëdhenj botërorë të muzikës elektronike. Për të kuptuar më shumë për festivalin në fjalë, sot (22.05.23), të ftuar në studio, në Macchiato Lounge, tek moderatori Ardian Gashi, kishim Specialistin për Komunikim me Publikun në UNUM Festival, z. Ardin Badivuku i cili ndër të tjera, tha se ky edicion do të jetë shumë më i veçantë për shumë arsye: “Kanë mbetur edhe 10 ditë që të lansohet edicioni i IV-të i festivalit, i cili do të mbahet nga data 1 deri më 6 qershor, për të sjell performanca të paharrueshme nga DJ më të mëdhenj botëror të muzikës elektronike, të cilët do të zbarkojnë në Rivierën Shqiptare, në Shëngjin, me performanca që do të shijohen nga turistë nga e mbarë bota. Do të kemi një pjesëmarrje të madhe nga njerëz që vijnë nga vende të ndryshme të botës si nga Ibiza, Milano, Beogradi, Algjeria, Zvicra e shumë e shumë vende të tjera. Me punën tonë, kemi arritur që ta bëjmë UNUM festivalin një emër që njihet gjithandej botës, kur është fjala për muzikën elektronike.”
Z. Badivuku përmes frekuencave të Radio KFOR-it ftoi të gjithë të interesuarit, që sa më parë të blejnë biletën, pasi ka një kërkesë të madhe nga shumë vende të botës që të jenë pjesë e këtij edicioni. Festivali UNUM që ndryshe njihet si ëndrra e adhuruesve të muzikës house, techno dhe minimal, do të ofroj tri skena të kuruara me kujdes në plazhin e Shëngjinit, të rrethuara nga malet piktoreske – Main Stage (Skena kryesore), Pine Stage (Skena e Pishave) dhe Beach Stage (Skena e Plazhit). The Beach Stage, fillon nga lindja e diellit deri në perëndim, Main Stage fillon nga perëndimi i diellit deri në lindje dhe Pines Stage, zgjat 24 orë në ditë me muzikë, pa ndalë për asnjë moment. Skena e Pishave është një nga skenat më ikonike të festivalit me pisha të larta përreth pyjeve. Pine stage do hapet të enjten (1 qershor) dhe funksionon 24/7 pa ndërprerje.
Emrat të mëdhenj botëror të muzikës do të jenë edhe sivjet performues, ndërkohë që line up-in e festivalit së bashku me detajet për bileta, mund t’i gjeni duke klikuar këtu: https://www.unumfestival.com/