Udhëtimi të bën të kuptosh sesa të vegjël jemi në krahasim më botën ku jetojmë. Kjo aventurë e njeriut ka filluar shijohet para shumë viteve, kur dhe u zbuluan mjetet e ndryshme të udhëtimit. Por, udhëtimi nuk është vetëm një aventurë e kërkimit të një ambienti më të mirë jetësor, çdo vit mijëra njerëz, në gjithë botën, lënë gjithçka pas për të ndryshuar jetën e tyre dhe për të filluar një aventurë të re.
Një ndër personat që ka udhëtuar më së shumti në botës është Don Parish, i cili ka shkelur në 325 shtete përreth botës, duke përfshirë 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara, e gjithashtu ka vizituar 1000 vende që përfshihen në listën “Nomad Mania”.
Planeti ynë është shtëpi e shumë mrekullive, që ia vlen të vizitohen. Pikërisht për temën e udhëtimeve, Radio KFOR-i pati mundësi të bisedoj me disa dëgjues, të cilët treguan për përvojat e tyre të udhëtimit. Njëri nga ta ishte edhe Agroni, i cili deri më tani kishte vizituar 30 shtetet:
“Udhëtimin e parë e fillova në moshën 18 vjeç, e mbaj në mend që kam marr kredi për të shkuar në Paris, së bashku me vëllain tim dhe një shok. Ky udhëtim më ka mbush mend. Në Evropë, vetëm në 3 shtete ende nuk kam qenë, në Lituani, Portugali dhe Ukrainë. Mua më patën thënë se ta vizitosh një vend tjetër është njëjtë si ta mbarosh një fakultet, unë edhe sot e kësaj dite mendoj që me të vërtetë ashtu është. Të udhëtosh ia vlen shumë.”
Nga shumë studime të bëra vitet e fundit, del se ndikimi i udhëtimeve tek secili person është vetëm pozitiv, në fakt udhëtimi ka edhe karakter shërues për shumë sëmundje të cilat i mundojnë miliona persona në botë.